Sot në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës është bërë tërheqja e shortit për kualifikimet e Kampionatit Evropian “Sllovakia 2025” për grupmoshën deri 21-vjeç.
Kombëtarja e Kosovës U21 është përfshirë në Grupin D, ku bëjnë pjesë edhe Gjermania, Polonia, Izraeli, Bullgaria dhe Estonia.
Ky cikël kualifikues do të fillojë në muajin mars, derisa përmbyllet në muajin tetor të 2024-s.
Ndeshjen e parë Dardanët U21 do ta luajnë kundër Estonisë, më 20 qershor në shtëpi.
Kjo është hera e dytë që Kosova U-21 do të përballet me Gjermaninë dhe Izraelin, ngase për herë të parë me këta dy kundërshtarë është ballafaquar edhe në ciklin kualifikues Euro 2019.
“Larg asaj për të nënçmuar ndonjë ekip, por mendoj se jemi në situatë për të mos ju frikësuar asnjë kombëtareje. Ne do të bëjmë më të mirën. Shpresoj të mos kemi lëndime dhe ta kemi grupin e shëndoshë, duke insistuar të luftojmë për një pozitë sa më të mirë. Duhet ta dimë se kualifikimet e fundit na e kanë bërë punën më të vështirë sepse kemi rënë në vazon e pestë. Pra, e theksoj edhe një herë as nuk e nënçmojmë askënd dhe as nuk i frikësohemi askujt. E kemi një grup të mirë të futbollistëve. Shpresoj që ata të kenë minutazhë më të madhe në klubet e tyre. Jam më se i bindur se do të kalojmë mirë në këtë grup”, ka theksuar pas shortit përzgjedhësi i Kombëtares U21, Afrim Tovërlani.
Faza e grupeve do të përfundojë në tetor të vitit 2024, ndërsa më pas do të nisë faza e “play-offit” dhe në fund Euro 2025.