Facebook
    GazetaSport
    • Futboll vendor
    • Futboll ndërkombëtar
    • Sporte tjera
    • ShowSport
    • Fun
    Facebook
    GazetaSport
    Zgjedhja e dytë e Arsenalit, Trossard po del të jetë kryesori në garën për titull
    Ballina-1

    Zgjedhja e dytë e Arsenalit, Trossard po del të jetë kryesori në garën për titull

    03/04/2023 20:22
    Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Tumblr Email

    Kur beteja e Arsenalit për ukrainasin Mykhailo Mudryk u fitua nga Chelsea në janar, drejtuesit e klubit të Premier Leagues u detyruan të kalonin në planin B. Por lëvizja e tyre e shpejtë për të nënshkruar me belgun Leandro Trossard ka dhënë rezultate në garën drejt titullit të kampionit.

    Kalimi i Mudrykut nga Shakhtar Donetsku në Arsenal dukej një marrëveshje e përfunduar. Sulmuesi i krahut nuk e ka fshehur dëshirën e tij për t’u transferuar te skuadra e Mikel Artetas. Megjithatë, Chelsea prishi planet e të gjitha palëve kur bëri ofertën në vlerë prej 100 milionë eurosh, për ta siguruar më pas Mudrykun. Sfida e Arsenalit për të përfunduar në top-katërshe edicionin e kaluar dështoi kryesisht për shkak të mungesës së përvojës dhe zëvendësuesve të aftë.

    Por këtë herë në klub lëvizën shpejt për t’u rikuperuar nga goditja që u dha Chelsea për Mudrykun dhe gjetën një futbollist të dëshmuar në ligë, belgun Trossard. 28-vjeçari e kishte nisur mirë edicionin me shtatë gola për Brightonin, që përfshinte një “hat-trick” të bujshëm kundër Liverpoolit në stadiumin “Anfield Road”.

    Por ai u bë papritur i “dëbuar” pas një mosmarrëveshjeje me trajnerin e ri të Brightonit, Roberto de Zerbin, i cili e kishte qortuar publikisht. “Ai e di shumë mirë se nëse dëshiron të luajë me mua si trajner te Brightoni, duhet të punojë shumë, duhet të vrapojë, duhet të jetë në rrugën e duhur. Unë dua vetëm lojtarë që punojnë shumë dhe luajnë për ekipin duke dhënë 100 për qind nga vetja”, kishte deklaruar De Zerbi në janar. Ndeshja e fundit e Trossardit për Brighton ishte më 26 dhjetor. Ai nuk luajti më derisa Arsenali i erdhi në ndihmë dhe e transferoi për rreth një të tretën e çmimit të Mudrykut. Klubi nga Londra synon titullin e parë në ligë në 19 vjet. Mesfushori i gjithanshëm belg lulëzoi tek Arsenali, duke nisur me efikasitet në muajin shkurt përpara se të jepte shtatë asistime. Ai kishte tri asistime në fitoren bindëse, 3:0, ndaj Fulhamit. Mudryk, ndërkohë, ka luftuar për t’u përshtatur në Chelsea dhe ka vetëm një asistim. Me nëntë asistime këtë edicion Trossard tani qëndron vetëm pas Kevin de Bruynet (13) të Manchester Cityt dhe Bukayo Sakas (10) të Arsenalit, pavarësisht se nuk luajti për gati një muaj. Ndërsa Saka dhe Gabriel Martinelli kryesojnë listën e golashënuesve të Arsenalit, Trossard u dëshmua të ishte zëvendësuesi ideal – qoftë si rezervist me ndikim ose si titullar kur sulmuesit e rinj të klubit kishin nevojë për pushim. “Unë vetëm e bëj punën time dhe atë në secilin cep të fushës. Ku më kërkon trajneri të luaj, unë do të jem aty. Mundohem të kontribuoj në të gjitha mënyrat, qoftë me gola apo asistime. Jam i lumtur që erdha tek Arsenali dhe me këtë ekip synimet i kam të mëdha për titull”, tha Trossard. Reprezentuesi i Belgjikës përshtatet pa problem në organizimin sulmues të trajnerit Arteta. Mbulon pozicione të ndryshme përgjatë vijës së sulmit dhe ka qenë i pafat duke iu anuluar disa gola nga sistemi VAR. Prekjet e tij të shkathëta e bëjnë atë një kërcënim të madh brenda zonës. Me Sakan të ulur në stol pas kthimit nga pushimi ndërkombëtar, Arteta i dha Trossardit 90 minuta për herë të parë që nga ardhja e tij në Arsenal. Ai dha një tjetër asistim për Gabriel Jesusin në fitoren 4:1 të së shtunës ndaj Leeds Unitedit. Fitorja e dërgoi serinë e fitoreve të Arsenalit në shtatë ndeshje, kurse ekipi i Artetas mbajti distancën prej tetë pikëve me Manchester Cityn që zë vendin e dytë. Ndërkohë Arteta ka marrë lëvdata të shumta për rekrutimin e Trossardit në afatin kalimtar të janarit.

    “Ne i kemi parasysh cilësitë e tij dhe atë që ai mund t’i sjellë skuadrës. Ai mund të luajë në të djathtë, në të majtë, mund të luajë si mesfushor. Ai mund të jetë një nëntëshe false. Pra, është lojtar i gjithanshëm dhe po bën një punë të mëdha”, pranoi Arteta. “Ai po kontribuon vërtet për ekipin. Ai po merr përgjegjësinë për ta bërë këtë të ndodhë dhe ne e duam atë. Me të në ekip, ne jemi më të fortë dhe më të vendosur për të vazhduar rrugën drejt titullit, e cila nuk do të jetë aspak e lehtë”. Në total, Trossard këtë edicion ka tetë gola e dhjetë asistime në Premier League, ndërsa me Arsenalin ka kontratë deri në verën e vitit 2026.

    TË LIDHURA

    Edon Zhegrova mori një thirrje nga Lille, por e refuzoi? Futbollisti kosovar vazhdon stërvitjet në “Fadil Vokrri”

    27/06/2025 11:50

    Foda zbulon pse refuzoi ofertën milionëshe

    25/06/2025 21:54

    Drita transferon Vesel Limajn

    25/06/2025 21:51

    “Nuk ka negociata me Milanin” – Bayer Leverkusen i mbyll derën e transferimit Granit Xhakës

    25/06/2025 19:21
    IMPRESSUM

    Your source for the sport

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.