Kundër Slavia Pragës, trajneri i Lille, Bruno Genesio, bëri ndryshime në formacionin bazë. Zgjedhjet e tij dolën të ishin të qëlluara pas përfundimit të ndeshjes së parë të plejofit të Ligës së Kampionëve.
Lille e fitoi ndeshjen e parë me rezultatin 2:0 të martën mbrëma, ndërsa njëri prej lojtarëve që shpërbleu besimin ishte Edon Zhegrova.
Nën drejtimin e teknikut francez, Zhegrova luajti për herë të parë nga fillimi i ndeshjes këtë edicion në krahun e djathtë të sulmit.
Trajneri francez përgëzoi futbollistin e Kosovës. Ai nuk ka dashur të zbulonte arsyet pse vendosi ta përfshinte Zhegrovën për herë të parë nga minuta e parë.
“Unë e pëlqeva shumë paraqitjen e Edonit. Sigurisht, sepse ai shënoi dhe është gjithmonë e rëndësishme që një sulmues të jetë vendimtar por, mbi të gjitha, besoj se atij iu shpërblye angazhimi. Ai dha kontributin e tij në fazën e sulmit e po ashtu edhe të mbrojtjes. Këto janë dy pozicionet në të cilat ai punoi gjatë gjithë kohës me kërkesën time. E përgëzova për angazhimin në fund të ndeshjes. Angazhimi i tij u shpërblye me një gol të shkëlqyer. Ai luajti një ndeshje mjaft të kompletuar”, ka thënë Genesio.
Reprezentuesi i Kosovës, Zhegrova, realizoi një gol të bukur në minutën e 77-të. Ai depërtoi në zonë dhe realizoi nga afërsia, pas një aksioni të rrjedhshëm. Zhegrova kontribuoi edhe në golin e parë.
Zhegrova shkëlqeu edhe në ndeshjen kundër Fenerbahçes së udhëhequr nga trajneri Jose Mourinho.
Ylli kosovar pati shënuar supergol në minutën e 90-të për t’ia dhuruar fitoren skuadrës së tij 2:1. Zhegrova ishte inkuadruar në minutën e 71-të. Nga minuta e 51-të u paraqit edhe në ndeshjen e dytë ndaj Fenerit.
Ndeshja ndaj Slavia Pragës ishte e para për Zhegrovën nga minuta e parë. Të tjera ndeshje pritet t’i zhvillojë nga fillimi.
Zhegrova vlerësohet prej më të mirëve në Francë.
Nën drejtimin e ish-trajnerit të Lillet, Paulo Fonsecas, Edon Zhegrova ishte prej më të mirëve në edicionin e kaluar te skuadra franceze. Luajti 47 ndeshje në të gjitha garat. Pati shënuar 12 gola dhe kontribuoi me dhjetë asistime.
Zhegrova 25-vjeçar iu bashkua skuadrës së Lillet në janar të vitit 2022. Ai u transferua nga Baseli zviceran. Më herët karrierë ka bërë edhe te skuadra e Genkut.
Zhegrova po kërkohet nga shumë skuadra evropiane, veçanërisht nga Roma. Por Zhegrova ende nuk ka marrë vendim për t’u larguar nga Lille.
Ai pritet të jetë një prej bartësve të lojës edhe te Kosova. “Dardanët” më 6 shtator e presin Rumaninë, kurse më 9 shtator luajnë në udhëtim kundër Qipros. Të dyja ndeshjet i takojnë edicionit të ri të Ligës së Kombeve. Kosova është në Grupin 2 të Ligës C të Ligës së Kombeve. Në grup me Kosovën, Rumaninë dhe Qipron është edhe Lituania.