Mbrojtësi brazilian i Lillet, Alexsandro, e ka vlerësuar lart sulmuesin e Kosovës, Edon Zhegrova. Ai ka thënë se Zhegrova u ngjan shumë lojtarëve të Brazilit për nga stili i lojës.
“Është e vërtetë që në disa aspekte teknike, në aftësinë e tij për të kaluar lojtarët, gjejmë disa nga cilësitë që janë shpesh të pranishme te lojtarët brazilianë. Duhet të ketë origjinë të largët. Mendoj se me punë dhe vullnet ai do të arrijë një nivel shumë të lartë në futbollin evropian”, ka thënë Alexsandro për “lepetitlillois.com”.
Mohamed Bayo është një tjetër lojtar që në të kaluarën ka luajtur me Zhegrovën. Ai thekson se Zhegrova është lojtar shumë i madh. Bayo është huazuar te Le Havre.
“Sinqerisht nuk kam domosdoshmërisht një lojtar që më ka bërë përshtypje veçanërisht në fillim të sezonit, përveç Edon Zhegrovës. Por ai është një lojtar që e kam njohur tashmë, sepse luajti me mua në Lille. Cilësitë e tij teknike, goditjet e tij, vizioni i tij për lojën… ai është një lojtar shumë i madh”, u shpreh Bayo në një intervistë për “Foot Mercato”.
Fjalë të mëdha për Zhegrovën ka edhe trajneri i Lille, Paulo Fonseca.
“Edoni është një lojtar për të cilin nuk mund të flas shumë, veçanërisht në një mënyrë të mirë, sepse ai do të mendojë se është më i miri në botë”, kishte thënë i buzëqeshur Fonseca.
“Më duhet ta ruaj qetësinë. Ai ka përparuar shumë, ka ndryshuar. Sot ai është një lojtar i ekipit. Kur arritëm këtu ishte një lojtar individual që luajti një lojë ndryshe. Sot ai luan dhe merr vendime për ekipin. Ai e kupton më mirë ritmin e lojës, kur duhet të driblojë, kur duhet të kalojë. Ajo që më bën më të lumtur janë përpjekjet e tij në mbrojtje. Edoni është një lojtar që e ndihmon ekipin gjatë gjithë ndeshjes dhe për mua kjo është e rëndësishme”.
Zhegrova është 24-vjeçar, ndërsa luan në pozitën e sulmuesit të krahut të djathtë. Herë pas here aktivizohet edhe në krahun e majtë të sulmit. Vlera e tij në faqen e specializuar për transferime “Transfermarkt” është 10 milionë euro. Por Lille synon të përfitojë më shumë nga shitja e Zhegrovës, që shquhet për teknikën e nivelit të lartë.
Zhegrova iu bashkua Lillet në janar të vitit 2022. Më herët karrierë ka bërë edhe te Baseli dhe Genku. Me ekipin francez ka kontratë deri në verën e vitit 2026.
Ai ka shënuar tre gola në 24 ndeshje në të gjitha garat këtë edicion. Ka kontribuar edhe me pesë asistime.
Në disa ndeshje, Zhegrova ka marrë edhe notën më të lartë nga të gjithë lojtarët në fushë. Ai ka shfaqur momente kulmore gjatë ndeshjeve të fundit. Njihet për driblimet e tij dhe kontributin për ekipin francez.
Zhegrova herët ka shfaqur talentin e tij. Ai pati thënë se “ende nuk është parë më e mira e tij”. Zhegrova për Kosovën ka shënuar katër gola në 34 ndeshje.