E ardhmja e Vedat Muriqit mund të marrë një kthesë të njohur këtë verë. Pas tri viteve e gjysmë në Spanjë me Mallorcën, sulmuesi i Kosovës po lidhet me një rikthim në elitën turke – aty ku pati një nga periudhat më të mira të karrierës.
Sipas raportimeve nga media turke trhaber, Besiktasi është klubi që po shfaq interes konkret për 31-vjeçarin. Klubi nga Stambolli e ka përfshirë Muriqin në listën e objektivave për repartin ofensiv, në përpjekje për të rritur konkurrencën dhe efikasitetin në sulm për sezonin e ardhshëm, si në ligë ashtu edhe në Evropë.
Bisedimet mes palëve thuhet se kanë nisur, ndërsa një ofertë zyrtare nga Besiktasi pritet së shpejti. Vlera e kartonit të Muriqit vlerësohet rreth 5 milionë euro.

“Pirati” nga Prizreni ka luajtur më parë në Turqi për Rizesporin dhe më pas për Fenerbahçen, para se të transferohej te Lazio për 21 milionë euro.
Megjithëse aventura në Serie A nuk rezultoi e suksesshme, Muriqi gjeti stabilitet dhe formë të mirë në La Liga me Mallorcën, ku në 118 paraqitje ka shënuar 35 gola dhe ka kontribuar me 11 asistime.
Muriqi ka shprehur më parë hapur afeksionin për Turqinë, duke theksuar se ai dhe familja e tij janë ndier gjithmonë si në shtëpi gjatë qëndrimit në këtë vend.
Një rikthim në Superligë, këtë herë me fanellën e Besiktasit, mund të jetë një hap logjik në këtë fazë të karrierës së tij.