Selektori i Zvicrës, Murat Yakin, ka ftuar futbollistë të konfirmuar për ndeshjet e para kualifikuese për Kupën e Botës 2026. “Helvetikët” më 5 shtator takohen me Kosovën, ndërsa më 8 shtator me Slloveninë. Të dyja ndeshjet zhvillohen në Basel.
Yakini të enjten e shpalli listën dhe mbajti konferencë për shtyp ku kryesisht foli për lojtarët e ftuar dhe ata që mungojnë. Nuk ka debutues te Zvicra, ndërsa i vetmi që është kthyer pas një kohe të gjatë është Cedric Itten. Ai nuk ka luajtur që nga viti 2023. Pasi munguan në miqësoret e qershorit, te Zvicra kthehen edhe Joel Monteiro, Simon Sohm dhe Ruben Vargas. Kthehet edhe Denis Zakaria që ishte larguar nga grumbullimi i qershorit për shkak të lëndimit.
“Fillimi i kualifikimeve me dy ndeshje vendimtare në shtëpi nuk është kohë e duhur për eksperimente. Rrjedhimisht, skuadra kryesisht përfshin lojtarë që ishin në Amerikën e Jugut në qershor. Kemi një vjeshtë shumë intensive para, me gjashtë ndeshje brenda 74 ditësh. Synimi ynë, me përkrahjen e tifozëve tanë në Basel, është të krijojmë bazë solide për vazhdim të kampanjës në grupin e vështirë”, ka thënë selektori i Zvicrës, Yakin.
Granit Xhaka do të jetë kapiten dhe lider i mesfushës së Zvicrës në ndeshjen e javës së ardhshme ndaj Kosovës. Është ftuar edhe Ardon Jashari, që po ashtu mund të startojë. Ai së fundi u transferua te Milani.
Breel Embolo pritet të jetë sulmuesi kryesor i Zvicrës, ndërsa Itten shihet si mbështetje e tij.
Yakini është pyetur për mundësinë që Xhaka e Jashari të luajnë përkrah në mesfushë.
“Kam shumë mundësi zgjedhjeje”, është përgjigjur selektori zviceran. Ai ka thënë se është i kënaqur me atë që ka parë, por ka shtuar se Jashari duhet të futet fuqishëm në stërvitje për t’i rritur gjasat që të startojë.
Zvicra llogaritet favorite e grupit ku është edhe Suedia. Yakini e pranon rolin.
“Jemi kualifikuar vazhdimisht në vitet e fundit. E pranojmë rolin e favoritit, përkatësisht faktin se ishim në vazon e parë. Do të përballemi me presion, duke nisur nga dy ndeshjet e para. Gjithnjë shtatorit e kemi përballuar mirë prej se jam unë në krye. Kam besim”, ka theksuar Yakin.
Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, këtë verë la Bayer Leverkusenin dhe u kthye në Premier League.
Firmosi me Sunderlandin. Sipas Yakinit, në aspektin sportiv është lëvizje e mirë për Xhakën. Ka thënë se paraqitja në Premier League është gjithnjë sfidë e madhe.
Natyrisht, selektori i Zvicrës ka folur edhe për dy lojtarët shqiptarë, Leon Avdullahun e Albian Hajdarin.
Avdullahu vendosi të luajë për Kosovën, duke e mbyllur kështu derën për Zvicrën. Hajdari tashmë ka debutuar për Zvicrën, por e ka lënë të hapur mundësinë e paraqitjes me Kosovën. Mesfushori
Abdullahu dhe mbrojtësi Hajdari tashmë janë pjesë e Hoffenheimit në Bundesligën gjermane.
“Jemi munduar shumë ta kemi atë. Ishim tashmë në kontakt në fillim të vitit. Me kalim në Bundesligë, pritjet e tij janë rritur po ashtu. Vendimi qartë se nuk ishte i lehtë për të. Duhet ta pranojmë. Por është mëkat”, ka thënë Yakin për Avdullahun, që pritet të debutojë te Kosova pikërisht ndaj Zvicrës në ndeshjen e së premtes të javës së ardhshme.
Hajdarin, Yakin e sheh edhe në të ardhmen pjesë të Zvicrës. Ka treguar se ishte dëshirë e lojtarit që të fokusohet te Hoffenheimi, ku u transferua këtë javë.
“Ne jemi munduar ta integrojmë Hajdarin për një vit. Por vendimi duhet të vijë nga lojtari. Ai mund të jetë lojtar interesant për të ardhmen dhe ne do të bëjmë çdo gjë të mundur për ta mbajtur atë”, ka thënë Murat Yakin.
Zvicra grumbullohet të hënën.
Deri më tani Kosova e Zvicra janë takuar tri herë. Të tria ndeshjet kanë përfunduar baras.