Ardian Nuhiu është prezantuar edhe zyrtarisht te KF Shkëndija këtë të hënë.
Trajneri shkupjan me “Kuqezinjtë” ka nënshkruar kontratë 2-vjeçare.
Si futbollist, Nuhiu me Shkëndijën ishte shpallur kampion në vitin 2011.
Ai së fundmi ishte trajner te Drita, me të cilën e fitoi një titull kampioni, një trofe të Kupës, si dhe një të Superkupës së Kosovës.
“Ndjehem shumë mirë që jam këtu. Nëse si futbollist arrita që vitin e parë të fitojmë titull, atëherë edhe projekti të cilin e kemi shpalosur këto ditë që kemi biseduar me drejtuesit ka qenë realisht bindës. Personalisht jam gati për këtë sfidë të re. Do të ndërtohet një skuadër shumë e fortë për të qenë gati në sfidat në Evropë, pastaj të futemi në kampionat”, është shprehur Nuhiu.
Stafi teknik i Shkëndijës do të kompletohet me fituesin Kupës sezonin e shkuar me Makedonija Gj.P, Muharrem Bajrami.
Bajrami do të jetë asistent i parë i Nuhiut, ndërsa Andi Kulli do të jetë përgjegjës për video-analizat e ndeshjeve.
Ivan Jovanovski mbetet trajner kondicional, ndërsa Seladin Mustafi vazhdon si trajner i portierëve.
