Franco Foda është trajneri i ri i Përfaqësueses së Kosovës në futboll. Ai është prezantuar të shtunën nga Federata e Futbollit të Kosovës.
Foda merr drejtimin e Kosovës pasi ishte papunë për gati dy vjet. Së fundmi drejtoi Zuerichun për një periudhë të shkurtë.
Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka thënë se Foda ka nënshkruar kontratë dyvjeçare. Ademi tutje ka shtuar se nga trajneri gjerman pret rezultate të rëndësishme. Ka theksuar se ai do t’i ketë duart e lira për të vendosur.
“Urime për trajnerin e ri. Uroj që siç është përputhur programi i tij me projektin tonë, të ketë edhe rezultate. Foda është trajneri i rezultateve. Ne këtë pjesë, duam rezultate sepse e kemi bërë zhvillimin tonë. Shpresojmë që Foda të jetë trajneri që do të ngelë në historinë e Kosovës, për ta kualifikuar në garat evropiane. Foda ka qenë në Kosovë para dy javësh. I ka parë kushtet dhe ka vendosur. Ka kontratë dyvjeçare. Në këto dy vjet, në këto garat e radhës, do të realizojmë programin e tij dhe kërkesat tona. Në futbollin tonë s’ka asgjë të sigurt, por ne po përpiqemi ta bëjmë punën sa më të mirë. Foda i ka duart e lira për të vendour, po vjen me ekipin e tij, nuk do të ketë asnjë ndërhyrje, por do ta ketë mbështetjen e Federatës”, ka thënë Ademi.
Foda do të vijë te Kosova bashkë me katër asistentë. Vetëm trajneri i portierëve nuk ka ndryshuar. Ademi ka thënë se do të përpiqen që në stafin e tij ta fusin edhe një asistent nga Kosova.
Foda është shprehur optimist se do të ketë sukses me Kosovën.
“Është ditë speciale për njerëzit këtu në Kosovë, edhe për mua. Jam shumë i lumtur që jam këtu. Po shikoj përpara për sfidën e re dhe jam optimist se do të jemi suksesshëm bashkarisht. Është i bindur se bashkë me njerëzit, bashkë me Federatën do t’ia dalë. Qëllimi im është të hy sa më shpejt në rrjedhje të ekipit. Po përgatitemi për ndeshjet e marsit. Pas këtyre ndeshjeve, do të kërkojmë kundërshtar më të përshtatshëm”, ka thënë Foda në konferencën e prezantimit.
Tekniku 57-vjeçar ka theksuar se e ka pasur shumë të lehtë të vendosë për Kosovën pasi ka ardhur në Prishtinë. Është i bindur se me disa detaje të vogla që do të ndryshohen, do të ketë sukses.
“E kam parë stadiumin, objektin e Federatës dhe e kam pasur shumë të lehtë të vendos për Kosovën. Skuadra më duket shumë interesante, shumë atraktive dhe me pak detaje që do t’i ndërrojmë, do të kemi sukses. Njoh disa lojtarë që luajnë në kampionatin gjerman. Njoh Rrahmanin, Muriqin, Rashican, Paqaradan. Kam parë disa ndeshje të Kosovës, kam vërejtur që luan me variante të ndryshme dhe do të përgatitem maksimalisht. Gjëja e parë që dua është të krijoj një raport me lojtarët dhe më pas do të vazhdojmë”, ka thënë ai.
Ish-lojtari i Leverkusenit ka thënë se do të zhvendoset të jetojë në Prishtinë, ndërsa ka përmendur Lumbardh Dellovën e Ballkanit dhe Ilir Krasniqin e Llapi si potencial të Superligës për Përfaqësuesen.
“Do të jetoj në Prishtinë sepse ka lojtarë në kampionatin vendor që do t’i përcjell. Dellova i Ballkanit dhe Krasniqit i Llapit janë ndër ta. Do të shikoj lojtarët edhe jashtë, por kryesisht do të jem në Kosovë”, ka shtuar Foda.
Sa i përket situatës së Zhegrovës, Foda thotë se është trajneri i të tashmes.
“Nuk jam njeri që e shoh të kaluarën. E shoh të ardhmen. Zhegrova është lojtar shumë i mirë dhe do të kaloj shumë mirë me të. Kushdo që është i gatshëm të japë 100 për qind për Përfaqësuesen, është i mirëseardhur. Kushdo që performon mirë ka vend te Kosova”, ka theksuar ai.
Edhe kryetari i FFK-së konfirmoi se Zhegrova do të jetë pjesë e Përfaqësueses në ndeshjet e marsit.
“Ato çka i ka thënë ai, i sqaron ai për kë e ka pas fjalën kur të vjen në konferencë”, ka deklaruar Ademi.
Ademi e Foda gjithashtu janë shprehur tejet optimist se mund ta bindin mesfushorin e Augsburgut, Elvis Rexhbeçaj, ta përfaqësojë Kosovën. Madje, kryetari i FFK-së ka thënë se janë në procesin e sigurimit të pasaportës.
Kohën më të madhe si trajner, 57-vjeçari e kaloi në Austri. Drejtoi për shumë vjet Sturm Grazin, me të cilët fitoi një herë titullin e kampionit dhe Kupën e Austrisë.
Për një vjet e udhëhoqi edhe Kaisterslauternin në Gjermani.
Nga viti 2018 deri më 2022, ishte trajneri i Përfaqësueses së Austrisë, të cilën arriti ta kualifikonte në Evropianin e vitit 2020 dhe kaloi fazën e grupeve.
Foda pritet të debutojë te Kosova në ndeshjet miqësore të marsit. Më 22 mars, Kosova do të luajë ndaj Armenisë në Yerevan, ndërsa më 26 mars përballet me Hungarinë në Budapest.
Kosova ishte pa trajner që nga largimi i Primozh Glihas pas përfundimit të ciklit kualifikues për “Euro 2024”.