Tashmë është zyrtare.
Ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë nuk do të zhvillohet në stadiumin “Rajko Mitiq” në Beograd.
UEFA ka pranuar kërkesën e federatës serbe që ndeshja të zhvillohet në stadiumin “Duboçica” në Leskovc. Ndeshja zhvillohet më 11 tetor dhe i takon kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
UEFA në faqen zyrtare e ka ndryshuar vendin e zhvillimit të ndeshjes. Deri të hënën mbrëma shkruante se ndeshja zhvillohet në stadiumin “Rajko Mitiq” në Beograd, ndërsa tani shkruan “Duboçica” në Leskovc.
Federata e Futbollit e Serbisë kishte vendosur që ndeshjen ta organizojë në stadiumin e Cërvena Zvezdës në Beograd, njëjtë si atë ndaj Anglisë që u zhvillua një javë më parë. Pos pas telasheve të shfaqura në ndeshjen ndaj Anglisë, të cilën serbët e humbën 5:0, u vendos që me Shqipërinë të luhet në Leskovc. Për këtë duhej pajtueshmëria e FSHF-së dhe vendimi i UEFA-s.
Gjatë ndeshjes me Anglinë kishte fyerje ndaj përzgjedhësit të Serbisë, Dragan Stojkoviq, fishkëllima ndaj lojtarëve, e po ashtu fyerje ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Gjatë ndeshjes, derisa tifozët po bënin fyerje ndaj pushtetit në Serbi, huliganë të afërt me Vuçiqin i sulmuan ata.
Po ashtu ka pasur thirrje anti-Kosovë dhe shpalosje të flamurit të Serbisë mbi hartën e Kosovës.
Ka gjasa që federata serbe të dënohet për gjitha këto shkelje. Një prej dënimeve të mundshme është që me Shqipërinë ndeshja të zhvillohet pa praninë e shikuesve.
Stadiumi në Leskovc ka kapacitet vetëm prej 8000 ulëseve dhe ishte kërkesë e Vuçiqit që ndeshja me kuqezinjtë të luhet në këtë qytet. Kjo u raportua që u bë për të shmangur fyerjet ndaj presidentit serb dhe pushtetit të tij. Në Beograd ndaj Anglisë ishin 40 mijë shikues dhe kontrollimi i gjithë kësaj mase ishte i pamundshëm. Ndërkohë kontrollimi i 8000 personave është më i mundshëm, ndër të tjera me kontrollimin e procesit të shitjes së biletave.
Ndeshja e 11 tetorit është vendimtare për vendin e dytë në Grupin K të kualifikimeve për Botëror. Vendi i parë pritet t’i takojë Anglisë.
Aktualisht Shqipëria e ka një pikë më shumë se Serbia, por edhe një ndeshje më shumë. Praninë në Leskovc e ka paralajmëruar edhe presidenti serb, Vuçiq.
