Drita ka pësuar humbjen e dytë rresht. Pas disfatës nga Ballkani në derbi, skuadra gjilanase të dielën humbi 1:0 nga Dukagjini në Klinë. Ndeshja i takoi xhiros së 13-të të Superligës së Kosovës në futboll. Sfida u vendos në minutën e 58-të kur penallti konkretizoi Blerind Morina.
Penalltia u konfirmua nga VAR-i, ndërsa arbitri Genc Nuza e ktheu në karton të verdhë një karton të kuq që e e tregoi për Ovoukan e Dritës. Punë për VAR-in kishte edhe në minutat shtesë. Në fakt Drita në minutën e 91-të shënoi për 1:1 përmes Albin Prapashticës.
Por Nuza rishikoi rastin në VAR dhe anuloi golin me pretendim që Blerim Krasniqi luajti më herët me dorë në zonë. Drita tani ka tri ndeshje pa fitore. Ndërkohë Dukagjini vazhdon të mbledhë pikë. Ka 11 xhiro pa humbje. Drita i ka 22 pikë në pozitën e dytë. Ka luajtur 12 ndeshje. Dukagjini është i pesti me 17 pikë.