Autoritetet e Premier League kanë nisur një hetim për dy transferime të Chelseat në epokën e Roman Abramovich, raporton “The Times”. Bëhet fjalë për transferimin e yjeve Willian dhe Samuel Eto’o në “Stamford Bridge” nga rusët Anzhi Makhachkala, pikërisht 10 vite më parë.
Chelsea pagoi 30 milionë paundë për anësorin brazilian dhe sulmuesi kamerunas mori një ulje prej 10 milionë paundësh për të lehtësuar lëvizjen. Sipas informacioneve të “Times”, hetimi ka nisur për gjoja pagesa shtesë të padeklaruara ndaj palëve të treta me origjinë ruse dhe nuk dihet pse 10 vjet më vonë ka ardhur deri te ky rast.
Biznesmeni rus Roman Abramovich ndau rrugët me klubin e Londrës Perëndimore verën e kaluar, kur u detyrua nga qeveria britanike të shiste “Blutë” për shkak të sanksioneve të rënda të vendosura pas aksionit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës.
Abramovich ishte presidenti më i suksesshëm në historinë e Chelsea, duke e çuar ekipin drejt trofeve të mëdha. “Blutë” po përpiqen të rikuperohen nën drejtimin e biznesmenit amerikan Todd Boeli.