Prishtina e ka fituar ndeshjen e mbetur të xhiros së dytë të Superligës së Kosovës në futboll.
Prishtina e mposhti kampionen e Kosovës, Dritën, me rezultat 2:1 të mërkurën në fushën me bari artificial në Gjilan.
Ky takim ishte shtyrë për shkak të angazhimit të kampiones së Kosovës në garat evropiane.
Prishtina kaloi herët në epërsi.
Golin e shënoi ish-futbollisti i Dritës, Blend Baftiu.
Drita reagoi shpejtë duke shënuar golin e barazimit në minutën e 19-të.
Golin për 1:1 e shënoi sulmuesi Blerim Krasniqi.
Me rezultatin 1:1 përfundoi pjesa e parë.
Prishtina në pjesën e dytë e shënoi edhe golin e dytë, që doli të ishte i fitores.
Për 2:1 realizoi Ardian Hasani. Goli i Hasanit me kokë u pranua pas rishikimit me VAR.
Skuadrat luajtën edhe më 25 tetor në ndeshjen e zhvilluar në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, ku skuadra gjilanase triumfoi me rezultat të thellë, 3:0.
Me fitore, Prishtina është bërë lidere me 29 pikë, dy më shumë se Malisheva e vendit të dytë.
Drita mbetet në vendin e tretë me 23 pikë.
