Batatina me akuza të rënda për gjyqtarin kryesor, Visar Kastrati: Nëse të paktën njëra nga tri rastet nuk ishte penallti unë e lë punën si trajner

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka shpërthyer në akuza të rënda në gjyqtarin e takimit, Visar Kastrati, pas humbjes së skuadrës së tij ndaj Gjilanit me rezultat 1:0. Trajneri llapjan tha se këtë ndeshje e fitoi Visari dhe jo Gjilani. Batatina tha se skuadrës së tij iu mohuan tre penallti nga gjyqtari kryesor i takimit
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka shpërthyer në akuza të rënda në gjyqtarin e takimit, Visar Kastrati, pas humbjes së skuadrës së tij ndaj Gjilanit me rezultat 1:0. Trajneri llapjan tha se këtë ndeshje e fitoi Visari dhe jo Gjilani.
Batatina tha se skuadrës së tij iu mohuan tre penallti nga gjyqtari kryesor i takimit dhe se delegimi i Kastratit dhe Dardan Çakës në këtë takim sipas tij nuk ishte në rregull.
“Ata që deleguan Visar Kastratin, le ta marrin përsipër, e dinë kush janë ata që deleguan Kastratin e Dardan Çakën. T’i anulohen Llapit tri penallti si vendas, me gjithë vështirësitë që ka Gjilani, sepse të gjithë e respektojmë, por ne nuk mundemi që ta mbajmë Gjilanin në këtë formë sikur sot.”
Ai vazhdon me pretendimet e tij se penalltitë duhej të akordoheshin dhe thotë se Gjilani po favorizohej nga minuta e parë e takimit, duke mos u ndëshkuar asnjëherë me kartonë.
Tri penallti nuk janë akorduar për Llapin, çdo gjë që ka qenë ka qenë në favor të Gjilanit që nga minuta e parë e takimit deri në fund, asnjëherë nuk ka jep kartonë, gjithçka ka qenë në dëmin tonë dhe besoj që nga minuta e parë këtë fitore e ka marrë Visari dhe jo Gjilani.”
Batatina ka thënë se nëse njëra nga penalltitë nuk ka qenë, ai nuk do të jetë trajner më.
“Humbja është pjesë e lojës, por ta çosh djersën e lojtarëve kështu poshtë është keq. Tri penallti nuk u akorduan, dhe unë them që nëse vetëm njëra nëse nuk ka qenë edhe pse jam i sigurt se të tri penalltitë kanë ekzistuar, atëherë unë nuk do të jem trajner më.”
Gjykimi i tillë i takimit sipas trajnerit dhe investitorit në klubin e Llapit, Batatinës, nuk i bënë mirë Superligës së Kosovës, pasi largon investitorët dhe kampionati mund të shkojë vetëm duke u dobësuar.
“Gjëra të tilla nuk e ndihmojnë futbollin e Kosovës, nuk e ndihmojnë ta avancojmë futbollin, largohen investitorët, largohet Tali normal e largohen edhe tjerët, kur e shohin se kur vinë gjyqtarët me ndikim të caktuar, siç ka qenë sot Visar Kastrati.”
Për fund Batatina i uron tre pikët gjyqtarit të takimit sërish, duke pretenduar se fitues i vetëm në këtë takim ishte Visar Kastrati.
“U vërejt që Visari ka ardhur me qëllim të caktuar, urime Visarit tri pikë, na duhet të vazhdojmë tutje, por nuk është një gjë e tillë me ndodhë, sepse për këtë gjyqtar nuk është hera e parë te Llapi, nuk e di cili është problemi tek ai, sepse ne kemi humbur edhe tjera ndeshje dhe nuk jemi ankuar kur nuk kemi pasur arsyeje. Futboll nuk mund të ankohesh kur humb me meritë, por sot merita kryesore i takon Visar Kastratit.”



