Në mes të xhunglës së betonit, që është kryeqyteti i gjallë i Argjentinës, është shfaqur një mural i madh i Diego Maradonës i veshur me një fanellë të përfaqësueses, dorën e djathtë të bërë grusht dhe një shprehje sfiduese në fytyrën e tij. Vepra masive e artit, 45 metra e lartë me 40 metra e gjerë dhe e pikturuar në anën e një ndërtese 14-katëshe në Buenos Aires, është një nga disa nderimet që argjentinasit ia kanë kushtuar “Zotit” të tyre të futbollit pak para fillimit të Kupës së Botës të këtij viti në Katar, i pari që nga vdekja e Maradonës më 25 nëntor 2020.
Arritjet dhe humbjet e Maradonës si lojtar me Argjentinën po mbahen mend, nga golat e famshëm dhe famëkeq kundër Anglisë përpara se ai të fitonte Kupën e Botës 1986 deri në finalen e dështuar kundër Gjermanisë Perëndimore katër vjet më vonë dhe testi i dopingut që e përjashtoi atë nga Botërori i ardhshëm në 1994. Artisti i mirënjohur i rrugës, Martin Ron, ishte pas muralit më të madh në botë, i frymëzuar nga një fotografi e kapitenit të atëhershëm të Argjentinës që kap shprehjen e tij pak para se të këndonte himnin kombëtar në finalen e Kupës së Botës 1990 kundër Gjermanisë Perëndimore, të cilën Argjentina e humbi 1:0.
“Është një foto e Diegos kur ai ishte afër fitimit të yllit të tretë të vendit”, tha Ron gjatë një pushimi nga puna që filloi një muaj më parë.
Argjentina gjithashtu fitoi Kupën e Botës në vitin 1978, por Maradona nuk ishte në atë turne.
“Kjo foto përmbledh gjithçka që Diego ishte”, tha Ron. “Përtej lojtarit, ai ishte guximi, motori, zemra”.
Në njërën anë të fytyrës së Maradonës, Ron pikturoi një plejadë yjesh në formën e një qifti, një referencë për pseudonimin e tij “çift kozmik”, që është ajo që një komentator i njohur në radio e quajti yllin e futbollit pas golit të tij të dytë kundër Anglisë në vitin 1986.
“Mungesa e tij do të ndihet, Diego ishte gjithmonë një yll. Në të gjitha Kupat e Botës ai bëri të vetën, brenda dhe jashtë fushës”, tha Ron. “Dhe në Katar, ai fatkeqësisht nuk do të jetë atje”.
Murali i Ronit u zbulua zyrtarisht të dielën për të përkuar me ditëlindjen e futbollistit të madh. Ditë më parë, Federata e Futbollit të Argjentinës mori fanellën origjinale që Maradona veshi në Kupën e Botës 1986. Ishte një dhuratë nga gjermani Lothar Matthaeus, i cili shkëmbeu fanellat me Maradonën pas finales që Argjentina fitoi 2:1 në stadiumin “Azteca” në Mexico City.
“Një nga momentet më të lumtura me të ishte kur arbitri brazilian Arppi Filho i ra bilbilit gjatë finales në Meksikë. Thjesht isha shumë afër Diegos, isha me fat që ai më përqafoi para kujtdo tjetër”, kujton ish-lojtari Ricardo Giusti. “Ne u kënaqëm aq shumë, të gjithë e shijuan Diegon. Kjo është ajo që është e trishtueshme. Na bën të ndiejmë shumë trishtim, pikëllim dhe zhgënjim”.
Dhurimi i Matthaeuits ishte një lloj dëmshpërblimi për Argjentinën pasi ajo dështoi të fitonte një ankand për fanellën e veshur me Maradona në ndeshjen kundër Anglisë në çerekfinale të atij Botërori. Një ofertues i panjohur e bleu artikullin ikonë në ankand për 9 milionë dollarë në muajin maj. Në vitin 1994, Maradona luajti ndeshjen e tij të fundit në Kupën e Botës kundër Nigerisë në fazën e grupeve. Ai u pezullua për 15 muaj pas fitores 2:1 shkaku i një testi të dopingut, në të cilin rezultoi pozitiv. Si trajner i Argjentinës, Maradona udhëhoqi ekipin deri në çerekfinale të Botërorit 2010 në Afrikën e Jugut, por humbi ndaj Gjermanisë 4:0.
Një nga imazhet më shqetësuese erdhi tetë vjet më vonë në Kupën e Botës 2018 në Rusi, kur një Maradona në mbipeshë dhe disi i çorientuar u rrëzua në stadiumin e St. Petersburgut pas fitores 2:1 ndaj Nigerisë. Maradona vdiq në moshën 60-vjeçare, ndërsa ishte nën kujdesin spitalor në shtëpinë e tij pas një operacioni në tru. Autoritetet gjyqësore vazhdojnë të hetojnë nëse ka pasur neglizhencë mjekësore.
“Ai na mungon, imazhi i Diegos ka qenë dhe është shumë i fortë”, tha Carlos Tapia, një tjetër anëtar i ekipit të triumfit në Botërorin e vitit 1986. “Ai ishte referenca jonë, kapiteni, gjithçka. Ai ishte gjithmonë pranë secilit prej nesh. Le të shpresojmë se ai mund të jetë një dritë udhëzuese nga lart për Argjentinën në Katar”.