Kosova lëshon pikë të rëndësishme, barazon me Izraelin

Kosova ka lëshuar pikë të rëndësishme në përballjen e parafundit të Ligës së Kombeve me Izraelin.
Ndonëse Kosova iu afrua disa herë shënimit të golit rrezikshëm me Kreshnik Hajrizin, Edon Zhegrovën, Milot Rashicën e Lindrit Kamberin, nuk ka arritur të realizojë. Dhe në fund, ndeshja me Izraelin që u zhvillua të shtunën pasdite në stadiumin “Fadil Vokrri”, u mbyll 0:0.
Kosova me pikën e fituar në Prishtinë tani i ka gjashtë pikë në grupin ku janë edhe Austria dhe Irlanda. Izraeli mbetet në vendin e fundit me tri pikë.
Irlanda – Kosova dhe Izraeli – Austria, janë dy ndeshjet e fundit të Grupit B3 të Ligës së Kombeve.
Kosova e pati përkrahjen e madhe nga tribunat, ndërsa pati vërshëllima të shumta gjatë intonimit të himnit të Izraelit.
Ndaj Izraelit debutoi Lindrit Kamberi, kapiteni i Zurichut. Kamberi madje në minutën e 41-të ishte i pafat kur e qëlloi transversalen pas tentimit me kokë, nga harkimi i Veldin Hoxhës.
Edhe Hoxha u shfaq rrezikshëm në zonën e izraelitëve. Nuk realizoi gol, por e la Kosovën me një futbollist më pak në fushë prej minutës së 66-të. Hoxha u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u përjashtua me të kuq.
Izraeli në pak raste doli para në sulm. Ishte më shumë i përqendruar në fazën defensive.
Kosova në duelin e së shtunës pati mungesa shumë të rëndësishme. Lumbardh Dellova, Ermal Krasinqi, Erblin Osmani e Valmir Matoshi ishin mungesat e Kosovës nga lista e publikuar nga përzgjedhësi Franco Foda për duelet ndaj Izraelit dhe Irlandës. Albian Hajdari ishte prej mungesave tjera, pasi së fundmi qendërmbrojtësi i Hoffenheimit iu nënshtrua dy operimeve.



